Takim i përbashkët midis të rinjve dhe kandidatëve për kryetar në Bashkinë Shijak
Në përmbyllje të fushatës: “Youth Led Politics” në datë 12 prill u realizua një takim i përbashkët midis të rinjve dhe kandidatëve për kryetar në Bashkinë Shijak.
Të rinjtë e Bashkisë së Shijakut evidentuan disa çështje kryesore, në një pyetësor të përgatitur nga ekspertë në kuadër të projektit: “Pjesëmarrja politike e të rinjve në zgjedhjet lokale: Kryetar bashkie për një ditë” dhe gjatë realizimit të fushatës online 1 mujore për periudhën 10 mars-10 prill 2023, të cilat u prezantuan nga të rinjtë në takim.
Idetë e të rinjve, të përmbledhura nga pyetësori dhe fushata online, u prezantuan para kandidatëve. Ky takim i ndihmoi të rinjtë të shkëmbenin mendime dhe të diskutonin me kandidatët mbi programet e tyre elektrorale me fokus të rinjtë dhe për problematikat komunitare të evidentuara.
Sipas të rinjve, çështjet kryesore komunitare që duhet të përmirësohen janë: menaxhimi i mbetjeve, infrastruktura rrugore, aktivitetet krijuese dhe argëtuese për të rinjtë.
U ofruan sugjerime mbi rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset e vendimmarrjes lokale, nëpërmjet pjesëmarrjes në dëgjesa publike, në mbledhjet e Këshillit Bashkiak etj. dhe ndikimit, nëpërmjet dëgjimit të zërit të tyre për t’u reflektuar në politika konkrete.
Gjatë këtij takimi u trajtuan nga ekspertë të fushës, tematikat: “Angazhimi i të rinjve në praktikat demokratike lokale dhe në qeverisjen lokale: edukimi për demokraci” dhe “Ushtrimi i të drejtës për të votuar nga të rinjtë, si një përgjegjësi individuale dhe shoqërore”.