Ndotja e mjedisit si një prej problematikave kryesore të identifikuara në Bashkinë Shijak
Menaxhimi i mbetjeve është një ndër shërbimet kryesore të bashkisë. Të rinjtë evidentojnë si problematikë, mungesën e menaxhimit të mbetjeve, si një detyrim edhe në kuadër të ligjit Nr. 10463 “Për menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”.
Sipas Nenit 1, ky ligj ka për qëllim “Të mbrojë mjedisin e shëndetin e njeriut dhe të sigurojë menaxhimin e duhur mjedisor të mbetjeve nëpërmjet: a) parandalimit e minimizimit të mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve…”.
Të rinjtë evidentojnë mungesën e koshave, cka ka ndikuar, në gjykimin e tyre, që njerëzit t’i hedhin mbetjet në lumin Erzen. Kjo ka dëmtuar ekosistemin, shëndetin e banorëve dhe turizmin duke qenë se këto mbetje përfundojnë në detin Adriatik.