Raporti i Vlerësimit: Pjesëmarrja politike dhe qytetare e të rinjve, Bashkia Has

Published On: August 8th, 2024Categories: Raporte

Në Republikën e Shqipërisë, në nivel kombëtar janë hartuar strategji dhe plane veprimi për përfshirjen dhe mbështetjen e të rinjve. Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029 e vë theksin tek angazhimi qytetar dhe politik i të rinjve, nëpërmjet përfshirjes së tyre në çështjet komunitare dhe proceset vendimmarrëse. Studime të ndryshme tregojnë se për pjesën më të madhe të të rinjve angazhimi politik dhe qytetar fillon në nivel lokal, ku ata adoptojnë praktika, norma dhe mundësi pozitive për të ardhmen e tyre, duke u përfshirë në një demokraci në shkallë të ulët.

Qëllimi i raportit është të analizojë pjesëmarrjen e të rinjve, bazuar në treguesit kryesorë të angazhimit politik dhe qytetar. Ky raport sjell një sërë rekomandimesh mbi përmirësimin e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset lokale vendimmarrëse dhe ndërmarrjen e iniciativave qytetare në Bashkinë Has.

Në hartimin e raportit janë përdorur metoda të kombinuara, cilësore dhe sasiore. Treguesit e pjesëmarrjes janë vlerësuar sipas tre kategorive kryesore: treguesit qytetarë, treguesit e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor dhe treguesit e aktivitetit politik.

Pjesëmarrja e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe në nisma qytetare kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe endogjen të komuniteteve lokale. Angazhimi gjithëpërfshirës i të rinjve, kur kryhet në bashkëpunim me vendimmarrësit, mund të ndikojë në rezultatet e politikave dhe të frenojë tokenizmin politik dhe qytetar, ndaj është e rëndësishme të promovohen modele konsultative të pjesëmarrjes së të rinjve. Përfshirja e të rinjve në debatet publike duhet të shoqërohet me rritjen e transparencës dhe të informimit mbi iniciativat lokale, programet rinore dhe buxhetet e dedikuara për rininë.

Ky raport nëpërmjet rekomandimeve sjell një kontribut në shërbim të avancimit të ndërhyrjeve ekzistuese të ndërmarra nga Bashkia Has, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022 -2029.

Publikimi i këtij raporti është mbështetur nga Fondacioni “Konrad Adenauer” Tiranë. Gjetjet, opinionet, përfundimet dhe rekomandimet e shprehura në këtë raport janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Fondacionit “Konrad Adenauer”.

Share This Story, Choose Your Platform!