Studimi: “VLERËSIM i PJESËMARRJES NË PROJEKTE RINORE, PENGESAT, NEVOJAT DHE MUNDËSITË E TË RINJVE NË SHQIPËRI”
Ky studim analizoi pjesëmarrjen e të rinjve në edukimin joformal dhe programet rinore në Shqipëri. Instrumentat që u përdorën në kërkim përfshinë fokus grupet dhe pyetësorin online me popullatën e përgjithshme të të rinjve në Shqipëri, të rinjtë me më pak mundësi dhe punonjësit rinorë që janë të angazhuar në organizatat rinore.
Nga anketimi i gjithsej 99 të rinjve të moshës 15-30 vjeç rezultoi se niveli i papunësisë të të rinjve të pyetur është (51%). Kohëzgjatja e papunësisë për ata të rinj që raportojnë se janë të papunësuar varion nga 6 muaj, të cilët zënë (53%), deri në 5 vite dhe femrat zënë (84%) të të rinjve të papunë dhe (58%) e tyre banojnë në qytezë apo fshat. Shumica e të rinjve të pyetur (73%) kanë ndjekur edukim formal ose joformal gjatë jetës së tyre. Aktualisht nuk po ndjekin asnjë formë edukimi formal ose jo formal (14%) e të rinjve, shumicën e të cilëve (57%) e zënë femrat, [>23] vjeç që nuk jetojnë në qytete.
Nga fokus grupi me punonjësit rinorë u evidentuan një sërë barrierash që e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitete. Barrierat e raportuara janë kulturore (gjuha, stereotipet gjinore, stigma, besimet individuale dhe sociale dhe perceptimet për përfitimet nga aktivitetet); pengesat e lidhura me informacionin (mungesa e informacionit); barrierat sociale dhe ekonomike. Shumica e pjesëmarrësve theksojnë barrierat specifike që prekin të rinjtë në zonat e largëta si mungesa e infrastrukturës rrugore dhe problematikat e transportit. Shumica e organizatave rinore dhe për të rinjtë hartojnë projekte gjithëpërfshirëse duke zhvilluar sesione diskutimi dhe angazhuar të rinjtë që në fillim të hartimit të projekt idesë, duke rishikuar strategjitë rinore.
Nga fokus grupi me të rinj dhe me të rinj me mundësi të pakta, barrierat kryesore janë ekonomike. Gjithashtu mentaliteti i komunitetit mbi rolin e programeve rinore por dhe motivimi i ulët personal i të rinjve në komunitetet ku jetojnë, i lidhur me mungesën e synimeve janë pengesa për pjesëmarrje aktive në projektet dhe programet rinore. Të gjithë të rinjtë që kishin marë pjesë në iniciativa rinore i shohin ato si aktivitete të dobishme.
Programet rinore duhet të jenë më gjithëpërfshirëse. Perspektivat për përfshirjen e të rinjve janë të ndryshme si: kuptimi i nevojave dhe përshtatja e aktiviteteve për ta; përfshirja e të rinjve në të gjitha fazat e projektit; krijimi i mundësive të barabarta; tejkalimi i stereotipeve dhe nxitja e marrëdhënieve të qëndrueshme.
Për më shumë informacion mbi gjetjet dhe rekomandimet e studimit dhe për të shkarkuar raportin e plotë, ju lutemi, dërgoni një email në adresën info@cbc.org.al.